Zgjedhjet, krerët e LSI takime me strukturat në Kolonjë e Topojë

22/10/2016 00:00

Nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari dhe kryetarja e LGI Klajda Gjosha zhvilluan këtë të shtunë një takim me strukturat e partisë në Leskovik të Kolonjës.

Braimllari dhe Gjosha theksuan se më datë 20 nëntor duhet të angazhohen të gjithë për të votuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, me qëllim vazhdimin e projekteve të nisura në Bashkinë e Kolonjës.

Por nënkryetari Braimllari preku edhe zgjedhjet e 6 nëntorit për kryetarin e LSI-së. “Votimi për kreun e LSI duhet të jetë një votim model, i cili duhet të bazohet tek transparenca, gjthëpërfshirja dhe integriteti”, tha ai.

Braimllari vlerësoi se, ky proces vazhdon rrugën e hapjes së LSI-së, prandaj dhe votimi i delegatëve është shumë i rëndësishëm, sepse do jenë ata që do të përfaqësojnë vullnetin e votuesve.

Nga ana tjetër, Gjosha u shpreh se: “LSI është një forcë me parime të konsoliduara të demokracisë së brendshme, mendimit ndryshe dhe votës së lirë”.

Sipas një njoftimi për shtyp, Leskoviku do të  përfaqësohet në Konventën Kombëtare të LSI me delegeatët e tij.

Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i shoqëruar nga deputetët Monika Kryemadhi, Robert Bitri dhe Kejdi Mehmetaj u takuan me anëtarët e këtij subjekti politik në zonën e Topojës, në qarkun e Fierit.

“Këmbënguljet tona për të bërë reformën në drejtësi me konsensus ishte një aksion që LSI e bëri në të mirë të vendit, për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vendit, sepse ishte një drejtësi që i duhej të gjithëve”, tha Vasili në fjalën e tij.

Numri dy i LSI vuri në dukje se, kjo parti do të jetë e vendosur qartë edhe për ligje të tjera, për të cilat do t’i kërkohet mendimi por edhe qëndrimi në Parlament.

“Edhe për ligje të tjera të cilat na shoqërojnë, për të cilat na duhet mendimi, por do të duhet dhe qëndrimi në parlament i LSI, ne do të jemi të vendosur qartë dhe përherë në krah të interesit të madh publik dhe qytetar”, ka shtuar Vasili.

Top Channel