Lamtumira për Safet Berishën; Mbrojtësi që nuk kalohej dot

22/10/2016 00:00

Ka qenë një javë zije kjo për futbollin shqiptar, pas Gëzim Kasmit legjendës së Tiranës edhe Safet Berisha është përcjellë për në banesën e fundit pasi humbi betejën brenda 3 javësh me sëmundjen e rëndë, në Itali.

Kanë qenë të shumtë personazhet e futbollit që kanë marrë pjesë në homazhet e mbajtura për nder të tij, në ish-kompleksin Dinamo, duke qenë se sot Partizani nuk ka ende një shtëpi.
 
Safet Berisha filloi karrierën e tij nga të rinjtë e “Lokomotivës” dhe tek skuadra e parë e Durrësit, e cila në atë periudhë drejtohej nga Loro Boriçi. Pas dy vitesh mosha e shërbimit ushtarak e kalon atë për 6 muaj tek Apollonia për t’u katapultuar më pas tek Partizanin, ku me të kuqtë mbajti për rreth 16 vite shiritin e kapitenit, gjë të cilën e mbajti edhe tek përfaqësuesja për 19 ndeshje radhazi deri në vitin 1982 kur vendosi të tërhiqej nga futbolli aktiv, në moshën 33-vjeçare.

Kanë qenë të shumtë ish futbollistët e Partizanit dhe kombëtares të cilët kanë kujtuar disa nga momentet që kanë ndarë bashkë me Safet Berishën.

“E kam pasur direkt kapiten. Në momentin kur hyra isha një fëmijë 17 vjeç. Do të thoja që nëse topi kalon, kalon edhe lojtari, Safeti ishte një nga ata që kurrë nuk i ka kaluar lojtari”, shprehet Perlat Musta, ish-portier i Partizanit.

“Padyshim është një nga legjendat e Partizanit, ka luajtur mbi 16 vite. Plus që ka qenë lojtar dhe kapiten i ekipit kombëtar. Një humbje e madhe për futbollin”, tha Genc Tomorri, ish-futbollist i Partizanit.

“Safeti ishte shumë i sakrificës. Të rinjve u ka mësuar shumë në futboll.” Shprehet Kastriot Hysi, një tjetër ish-lojtar i Partizanit.

“Personalisht kam luajtur futboll në atë rol që Safeti ka luajtur me ekipin përfaqësues dhe ekipin e Partizanit prej shumë vitesh. Realisht jam munduar që ta imitoj në mënyrën e të luajturit dhe realisht besoj se mund t’ia kem arritur disi. Është një ditë zie për futbollin.” Shprehet Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF dhe ish-futbollist i Partizanit.

“Javë e keqe për Futbollin shqiptar. Shumë figura të futbollit kanë humbur jetën dhe një nga ata, kapiteni i ekipit kombëtar, kapiten i Partizanit, Safet Berisha. Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e njeh kontributin e tij.”, u shpreh Armand Duka president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pas mbylljes së karrierës së tij si futbollit, Safet Berisha shkoi në Itali si emigrant, duke gjetur mundësi të ndryshme për të vazhduar jetesën e tij sëbashku me familjen.

Për këto humbje të futbollit në Shqipëri është vendosur që kjo javë e tetë e Superligës të fillojë me një minutë heshtje dhe me nga një shirit të zi në krah në përkujtim të ndarjes nga jeta të këtyre dy figurave të mëdha të futbollit të Tiranës dhe Partizanit, Gëzim Kasmi dhe Safet Berisha.

Top Channel