Ndihma për çminimet, anija luftarake franceze mbërrin në Durrës

22/10/2016 00:00

Një nga 11 anijet çminuese të Flotës Ushtarake Franceze ka mbërritur në vendin tonë për të ndarë përvojën franceze në çminimin e zonave lundruese.

E komanduar nga 33-vjeçarja Ann-Sophie Borrod, anija e specializuar për të kryer ndërhyrje nënujore dhe çminime do të ofrojë ekspertizën e saj për Forcat e Armatosura shqiptare.

“Jemi këtu për të forcuar bashkëpunimin në fushën e zhytjes me forcat e ushtrisë shqiptare. Gjetja dhe shkatërrimi i minave në det është misioni ynë. Në Shqipëri nuk do të bëhet kërkim për mina, por do të ketë një shkëmbim përvojash me forcat ushtarake shqiptare për të treguar aftësitë dhe atë që mund të bëjmë me mjetet që kemi në dispozicion”, deklaron LT. Ann-Sophie Borrod.

E ankoruar në portin detar të Durrësit, anija minakërkuese “Lyre” është e pajisur me nje sonar, robotikë nënujore dhe ekip zhytësish dhe mund të bëjë zbulime deri në 120 metër thellësi dhe të ndërhyjë me zhytësit e saj deri në 60 metër thellësi.

Ndër detyrat e anijes është edhe ruajtja e hyrjes së porteve ushtarake dhe atyre komerciale. Ndër vite në basenin portual të Durrësit janë gjetur predha të Luftës II Botërore, të cilat janë bërë pengesë edhe për investime të rëndësishme në port, siç është thellimi i kanalit hyrës.

Por komandantja e anijes, Borrod deklaron se duhen marrëveshje dypalëshe mes shteteve për të realizuar operacione nënujore të kësaj natyre.

Top Channel