Mbyllet përfundimisht Universiteti i Kukësit

22/10/2016 00:00

Filiali i Universitetit të Tiranës në qytetyin e Kukësit është mbyllur përfundimisht. Prej vitit 2014 këtij filiali nuk iu dha asnjë kuotë për të pranuar studentët.

“Është shumë keq për qytetin e Kukësit, pasi çdo vit ka pasur shumë studentë. Administrim biznesi kemi qënë 120 vetë. Dhe duke qënë se është numër i konsiderueshëm pse të mos vazhdojë përsëri. Ka shumë studentë që nuk kanë mundësi të vazhdojnë shkollën në Tiranë, gjendja ekonomike nuk ka qënë e mirë dhe kjo ka qënë shumë mundësi e mirë për qytetin e Kukësit”, thotë një studente.

Mbyllja e filialit të Universitetit të Tiranës në fakt ishte paralajmëruar nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria shqiptare, në fllim të vitit akademik 2014-2015,duke mos dhënë kuota as për vitin akademik 2015-2016.

“Unë e quaj fatkeqësi mbylljen e filialit të universitetit të Tiranës në Kukës. Siç shihet sot duhet të ishte një ditë plot gjallëri por është e kundërta. Gjatë nëntë viteve të ekzistencës së filialit duhet të themi që ka sjellë dhe prurje qoftë nga diplomimet qoftë dhe prurje intelektuale, kemi vetë studentë që u bënë pedagog pranë filialit”, thotë Bekim Lekica, Administrata e Fililait te Universitetit të Tiranës, Kukës.

Numri i studentëve që vazhdonin studimet pranë këtij filiali kapte shifrën 1100 persona në deget ekonomi, infermieri dhe gjuhë e huaj para se të dilte urdhri nga Ministria e Arsimit për mbylljen e tij.

Top Channel