Basketboll, fiton CSKA, Barcelona provon humbjen

22/10/2016 00:00

Barcelona pëson humbjen e parë në këtë sezon të Euroleague në basketboll për meshkuj. Skuadra katalanase u dorëzua në parketin e saj përballë Fenerbahçes teksa humbi me rezultatin 72-73.

Edhe pse me diferenca të vogla, Fenerbahçe ishte gjatë gjithë kohës në kryesim në këtë përballje me katalanasit. Udoh ishte basketbollisti më i mirë për skuadrën turke me 15 pikë. Për Barcelonën nuk mjaftuan 19 pikët e Tyrese Rice për të shmangur këtë disfatë përballë publikut të saj.

CSKA e Moskës fiton përsëri. Kampionët e Europës këtë radhë mposhtën Panathinaikos me rezultatin 81-77. Skuadra ruse e kontrolloi mjaft mirë ndeshjen në 2 periodat e para që i mbylli 35-30. Panathinakos u zgjua në periodën e tretë dhe arriti të marrë kryesimin në 58-57. Por ky avantazh nuk zgjati shumë pasi në 10 minutat e fundit CSKA e Moskës rimori kontrollin e lojës për të arkivuar edhe këtë ndeshje në favorin e saj. Vorontsevich ishte ai që spikati për CSKA e Moskës me 24 pikë, ndërsa për Panathinaikos shënuesi më i mirë ishte Dimitris Nichols me 22 pikë.

Në dy ndeshjet e tjera të Euroleagues, Crvena Zvezda fitoi me Galatasaray 85-83, ndërsa Zalgiris mundi Baskonian 78-73.

Top Channel