Sulmet terroriste, arrestohet në Londër një 19-vjeçar i dyshuar

22/10/2016 00:00

Një 19-vjeçar është arrestuar në Londër pas dyshimeve të policisë  së kishte planifikuar kryerjen e një sulmi terrorist. Forcat blu  gjetën një pako të dyshimtë në linjën juglindore të metrosë në Jubile.

Vetëm pak ditë më parë një tjetër objekt i ngjashëm u diktua në stacionin North Greenwich , ku iu bë një shpërthim i kontrolluar nga policia.  Siguria është rritur maksimalisht në transportin e kryeqytetit.

Pasagjerët janë njoftuar se do të shohin një prezencë të shtuar të oficerëve të policisë në ditët në  vazhdim, ndërkohë që patrullimet kanë nisur në të gjithë Londrën. Kërcënimi terrorist në vend mbetet  serioz, çka do të thotë që sulmet konsiderohen si tepër të mundshme për të ndodhur.

Ndërkohë një incident i një tjetër natyre në Londër ka marrë fund. Aeroporti i kryeqytetit rifilloi punën, pas evakuimit të qindra pasagjerëve nga i cilësuar si një “incident kimik” në ambientet e brendshme të tij.  Ai u mbyll mbrëmjen e së premtes pasi shumë pasagjerë filluan të ndihen keq.

27 persona patën vështirësi në frymëmarrje dhe iu dha ndihma e shpejtë aty ku ndodheshin. Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje duke stabilizuar situatën por ende nuk është dhënë një shpjegim i këtij incidenti jo të zakontë.

Top Channel