“Incidenti kimik” shkakton evakuimin e aeroportit. 26 morën ndihmë mjekësore

21/10/2016 00:00

Udhëtarët në “City Airport” të Londrës përjetuan momente frike, pas raporteve për një “incident kimik”, i cili çoi në mbylljen e përkohshme të aeroportit.

Evakuimi i tij nisi pasi shumë pasagjerë filluan të ndihen keq. 26 persona patën vështirësi në frymëmarrje dhe iu dha ndihma e shpejtë aty ku ndodheshin. Dy prej tyre u dërguan më vonë në spital.

“Ende nuk e dimë se çfarë na hyri në mushkëri”, tha një prej pasagjerëve për CNN-in, pas episodit tronditës. “Nuk ndihem dhe aq mirë”.

Terminali, sipas autoriteteve, u evakua për shkak të alarmit të zjarrit. Ata ende nuk e kanë sqaruar se çfarë e shkaktoi incidentin. Zjarrfikësit kishin marrë raporte për një incident kimik dhe, 3 orë pas kontrolleve e ventilimit të ambienteve të tij, aeroporti u hap sërish.

“City Airport” përdoret më së shumti nga personat që janë në udhëtime biznesi, për fluturime të brendshme në Britani dhe të tjera në Europë e Shtetet e Bashkuara. Ai ndodhet në lindje të Londrës.

Top Channel