Një delegacion i KQZ-së së Shqipërisë viziton homologët kosovarë

21/10/2016 00:00

Këtë të premte, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës qëndroi për një vizitë zyrtare një delegacion i KQZ-së së Republikës së Shqipërisë.

Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, si dhe anëtarësimi i KQZ-së së Kosovës në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO) ishin temat kryesore të këtij takimi.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Valdete Daka solli në vëmendje anëtarësimin në “ACEEEO” me të drejta të plota të institucionit që ajo drejton.

“Tani, edhe Republika e Kosovës e ka vendin e vet në ‘ACEEEO’ dhe ne besojmë se, si trupa menaxhuese të zgjedhjeve mund të përfitojmë në rritjen profesionale”, tha Daka, duke shprehur falënderim për përfaqësuesit e KQZ-së në Shqipëri për mbështetjen e madhe që kanë dhënë në këtë drejtim.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi përgëzoi edhe njëherë KQZ-në e Kosovës për anëtarësimin në “ACEEEO”, duke u bërë anëtari i 25-të institucional i këtij Asociacioni.

Në vazhdën e takimit, kryetarja e KQZ-së Daka ndau mirënjohje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë dhe kryetaren e këtij institucioni, Lefterije Luzi, për mbështetjen e dhënë KQZ-së së Republikës së Kosovës për anëtarësim në “ACEEEO”.

Në fund të takimit, anëtarët e të dy institucioneve ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit, duke shtuar se mund të përfitohet nga përvojat gjatë proceseve zgjedhore.

Top Channel