Seria A, ndryshime të së drejtës televizive?

21/10/2016 00:00

Ka disa vite tashmë që Seria A nuk është më ajo e viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 dhe kriza financiare e nisur në 2008 i dha goditjen e fundit në rënien e lirë që ky kampionat kishte nisur në Europë.

E në përpjekje për të tërhequr sa më shumë para, sidomos nga e drejta televizive, kampionati elitar i futbollit italian pritet të ndryshojë rregullat duke filluar që nga viti 2018.

Më shumë ekskluzivitete, larmishmëri oraresh dhe një mënyrë e re dhe e ndryshme e shitjes së të drejtave në televizionet e platformat ndërkombëtare. Këto janë tri pikat që po diskutohen në forumin “Sporti dhe Biznesi” në Milano.

“Në të shkuarën është favorizuar shitja në bllok, si platformë ndërsa jashtë ka patur më shumë hapësira shitja për produkt, element që shtyn transmetuesit që të investojnë më shumë”, thotë Luigi De Siervo, administrator i Infront Italia, kompania që zotëron të drejtat ekskluzive në këshillimin e federatës italiane të futbollit për të drejtat televizive të Serisë A dhe B.

Gjithsesi, deri më tani gjithçka është në fazën e diskutimeve dhe nuk dihet nëse do të ketë ndryshime apo jo, ndryshime që janë kërkuar me ngulm nga pjesa më e madhe e drejtuesve të klubeve “big” të Serisë A.

Top Channel