Itali, myslimanët luten pranë Koloseut: Respektoni të drejtat fetare

21/10/2016 00:00

Me qindra myslimanë të Romës u lutën pranë Koloseut, me argumentin se vendet e tyre të kultit ishin mbyllur.

Lutja në këtë formë ishte njëkohësisht një lloj proteste dhe thirrje për autoritetet vendore, që të mbrojnë të drejtat e tyre fetare. Një pjesë e besimtarëve mbanin në duar pankarta, ku shkruhej “Paqe” dhe “Hapni xhamitë”.

Grumbullimi i tyre u organizua nga shoqata “Dhuumcatu Association”, një grup nga Bangladeshi i fokusuar te të drejtat e emigrantëve islamikë. Drejtuesit e tij thonë se, policia ka mbyllur disa xhami këto muajt e fundit, duke privuar shumë prej 100 mijë myslimanëve të Romës nga mundësia e një vendi ku të luten.

“I kanë vënë kyçin xhamive, duhet të na i hapin përsëri. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën të na sigurojnë një vend tjetër ku të lutemi”, tha Mita Aktr, besimtare myslimane.

Xhami të mirëfillta ka pak në Itali, çfarë do të thotë se shumica e mbi 1.6 milionë myslimanëve që jetojnë në këtë vend, ritet e tyre duhet t’i kryejnë në shtëpi apo nëpër qendra kulturore islamike.

Ideja e xhamive të sajuara në garazhe ka shkaktuar goxha debat. Politikanja e djathtë romane, Giorgia Meloni, e partisë “Vëllezërit e Italisë”, që doli e treta në zgjedhjet vendore të këtij viti, ka apeluar për kontroll më të madh mbi vendet myslimane të kultit, e kërkon po ashtu që lutjet, detyrimisht të këndohen në gjuhën italiane.

Top Channel