Tek a çift për kamikazin

21/10/2016 00:00

Përzgjedhja e kamikazit në radhët e ISIS-it nuk është e rastësishme, ose më saktë, nuk është aq e thjeshtë dhe këtë e tregon së fundmi një video-propagandë e shpërndarë nga vetë grupi terrorist nëpër internet.

Në video shihen një grup luftëtarësh të grupimit terrorist i vetëshpallur “Shteti Islamik” që për të shmangur zënkat se kush “do të ketë fatin” për t’u bërë martir duke hedhur veten në erë, ja lënë këtë shortit.

Ata hedhin tek a çift dhe në videon e publikuar, fituesi shfaqet i lumtur dhe i qeshur që shorti përzgjodhi atë për t’u vetësakrifikuar.

Videoja më pas tregon një makinë të blinduar dhe pas saj një shpërthim i fuqishëm. Megjithatë, vetëm me atë që paraqitet në këtë video, është e pamundur të verifikohet nëse “fatlumi martir” e ka ndërmarrë sulmin vetësakrifikues apo jo.

Pamjet shpërndahen nga grupi terrorist në një periudhë kur po humbet me shpejtësi terren në Mosul si pasojë e ofensivës së forcave irakiane dhe atyre kurde, ofensivë që ka nisur prej disa ditësh e që synon marrjen nën kontroll të qytetit të dytë më të madh të Irakut.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel