SHBA, Oprah Winfrey: Keni vetëm një alternativë, s’keni pse ta pëlqeni medoemos

21/10/2016 00:00

Oprah Winfrey nuk e ka fshehur zgjedhjen e saj të 8 nëntorit, por veç kësaj ka edhe një mesazh për të gjithë ata votues të pavendosur ende se kë do të mbështesin për të pasuar Barack Obamën në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Mesazhi i saj për këtë “target group” është i thjeshtë: Keni përpara vetëm një zgjedhje të mundshme dhe, nuk keni përse ta pëlqeni me patjetër atë!

Ish-moderatorja e “talk show”-t me emrin e saj dhe manjate mediatike, e cila mbështeti zyrtarisht Hillary Clintonin për Shtëpinë e Bardhë që në qershor, tha se ka qëndruar më së shumti e heshtur gjatë kësaj fushate, për shkak se nuk ka qenë e sigurtë nëse mund të gjente fjalët e duhura, të cilat të mund të dëgjoheshin mjaftueshëm mes kësaj rrëmuje.

“Arsyeja pse nuk kam folur deri më tani, përveçse deklarova se mbështes Clintonin, është sepse nuk e di çfarë mund të thoja, që të mund të kalonte përmes gjithë kësaj zhurme e kaosi, apo sarkazmës së pështirë që po oshëtim aktualisht”, tha Winfrey për pastorin e Dallasit, T.D. Jakes, sipas një fragmenti të një bisede njëorëshe që do të transmetohet e plotë të enjten e ardhshme.

“Megjithatë u them njerëzve se realisht nuk kanë zgjedhje tjetër. E kam fjalën për të gjithë ata njerëz që ulen lart e poshtë e thonë se nuk munden të vendosin se kujt do t’ia japin votën. Kjo është e vetmja gjë që unë dua të them tani për tani. Më lejoni një minutë. I kam dëgjuar këta prej një kohe të gjatë tashmë. Njerëzit përfshihen në debate të tilla, ku sigurisht nuk janë vetëm dy bashkëbisedues, por edhe të tjerë që influencohen, ku dikush thotë se ‘thjesht nuk e di nëse më pëlqen apo jo ajo (referuar Clintonit)”.

Sipas Winfrey, askush nuk duhet ta pëlqejë medoemos atë, pasi nuk është kjo çështja për t’u zgjidhur. Njerëzit as që nuk duhet ta bëjnë këtë pyetje, shton ajo.

“Ajo nuk do të vijë të futet në shtëpinë tuaj, nuk keni pse ta pëlqeni me patjetër. Është e thjeshtë, nuk keni pse. A e pëlqeni këtë vend? A e doni këtë vend? Atëherë më mirë dilni edhe votoni. A e pëlqeni këtë vend dhe lirinë e pavarësinë? Në rregull. Atëherë bëni pyetjen: Dëshironi demokracinë apo preferoni më shumë një demagog?”, shprehet ndër të tjera Oprah.

Top Channel