Athinë, takohen komisionet dypalëshe për varrezat greke në Shqipëri

21/10/2016 00:00

Pavarësisht deklaratave të politikanëve grekë dhe shqiptarë lidhur me çështjet e hapura mes dy vendeve, në nivel teknik duket se bashkëpunimi mes palëve vazhdon normalisht. Mbi të gjitha për problemin e krijuar lidhur me ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri.

Sikurse ishte njoftuar edhe më parë, në Athinë është zhvilluar takimi i radhës së komisioneve dypalëshe për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Për dy ditë, komisionet kanë zhvilluar bisedime teknike në kryeqytetin grek për kapërcimin e pengesave lidhur me ndërtimin e varrezave.

Ndonëse nuk ka detaje lidhur me diskutimet, Top Channel ka mësuar se palët kanë dialoguar në një klimë miqësore.

Ekspertët kanë sqaruar dhe zgjidhur një sërë paqartësish teknike lidhur me procedurat dhe mënyrat e identifikimit të eshtrave të ushtarakëve të rënë në frontin e Luftës së Dytë Botërore, si dhe detaje të tjera lidhur me problematikën e marrëveshjes në fjalë.

Komision shqiptar kryesohej prej Dedë Prenga, gjeneral brigade dhe komandant i KDS-së, ndërsa pala greke prej Themistoklis Burolias, gjeneral major i Forcave Ajrore. Sipas marrëveshjes, takimi i radhës duhet të zhvillohet brenda 6 muajve në Tiranë.

Top Channel