Basha në samitin e PPE: Droga e Shqipërisë, çështje europiane

21/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në samitin e PPE që u mbajt në Mastriht të Holandës. Në këtë samit, siç thuhet në një njoftim për shtyp të PD, një vend të veçantë ka zënë “gjendja e jashtzakonshme” e kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri.

Sipas njoftimit, ky “zhvillim dramatik” është kthyer në një shqetësim për vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në fjalën e tij në këtë event, Basha shprehu shqetësimin se të ardhurat e drogës do të përdoren për të blerë vota, siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2015 dhe në ato të Dibrës. Për këtë arsye, ai kërkoi mbështetje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm.

“Për fat të keq, një nga temat që dominoi në këtë samit ishte Shqipëria, problemi i jashtëzakonshëm i drogës, i krimit dhe rrjedhojat që kjo ka për stabilitetin, për demokracinë e Shqipërisë dhe për stabilitetin rajonal dhe më gjerë për Europën”, deklaroi Basha pas takimit.

Ai tha se, në këtë kuadër, jo vetëm prezantimi i tij i situatës në Shqipëri, por edhe informacionet e dhëna nga personalitetet e pranishme në këtë samit tërhoqën vëmendje të madhe dhe u bënë subjekt i nje diskutimi të hollësishëm.

“Është e qartë se ajo që qeveria Rama përpiqet ta mbajë të fshehur, ta mohojë brenda Shqipërisë, tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe është kthyer në një problem të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Prova për këtë nuk janë vetëm artikujt e njëpasnjëshëm në mediat botërore, provë për këtë është shqetësimi i jashtzakonshëm që zuri ky problem në Samitin e Partive Popullore Europiane. Problemi i drogës, i krimit dhe i lidhjes së tyre me politikën janë tashmë në qendër të vëmendjes së Bashkimit Europian.

Zgjidhja e këtij problemi kërkon vullnet politik, vullnet politik të cilin Partia Demokratike, opozita, unë, e kemi, prandaj kërkojmë mbështetjen për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

Top Channel