Në gjykatë dosja për 1 ton drogë të kapur në port

21/10/2016 00:00

Një vit pas bllokimit të një sasie prej një toni drogë në Portin e Durrësit, Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim katër persona.

Ervin Pëllumbi, Albert Doku, Gani Bushati dhe Bledar Qosja do të gjykohen për trafik droge në bashkëpunim të ngelur në tentativë dhe moskallëzim krimi.

Sasia e drogës u bllokua tetorin e 2015 e fshehur në një kamion me lëndë drusore të ambalazhuar në një magazinë në Bushat të Shkodrës.

Sipas Prokurorisë, droga do të dërgohej në Milano. Aksioni poker i zhvilluar nga antidroga dhe Policia Kufitare e Durrësit zbuloi gjatë kontrolleve se droga ishte fshehur në 10 baleta druri.

Ndërkohë, prokuroria në mbyllje të hetimeve arriti në përfundimin se pronari i ngarkesës ka dyshime të jetë shtetasi Albert Doku, kurse në rolin e transportuesit ishte i pandehuri tjetër, Ervin Pëllumbi, i cili gjatë hetimeve ka këmbëngulur se nuk kishte informacion se në kamionin që po drejtonte kishte drogë.

Aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë nën gjykim për trafik droge të ngelur në tentative 11 dosje, ndërkohë që prej janarit 2016 deri në 10 tetor shkalla e parë e Krimeve të Rënda ka deklaruar 30 verdikte fajësie.

Top Channel