Saranda nderon albanologun rumun

21/10/2016 00:00

Nicolae Jorga, historiani rumun me një kontribut të gjerë në historiografinë shqiptar, do të ketë së shpejti një bust në shëtitoren e Sarandës. Vendimi i Këshillit Bashkiak vjen pas rreth 20 vitesh refuzimi nga të gjithë Këshillat e mëparshëm.

Kreu i Unionit të Arumunëve në Sarandë, Pano Bakalli sqaron se kërkesat kanë qenë të shumta, por njohja për këtë figurë ka qenë gati inekzistente. Ai tregon se në mënyrë të veçantë figura e historianit dhe politikanit Nicolae Jorga është e lidhur me Sarandën.

Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, në vlerësim të kontributeve të tij të mëdha për çështjen shqiptare, me dekret mbretëror, i është akorduar një sipërfaqe toke-dhuratë, në Sarandë. Atje ai vendosi ndërtimin më 1937 të Institutit Rumun të Sarandës, që u Quajt ndryshe “Shtëpia Jorga”. Ky Institut u përqendrua në studimet e pasurisë arkeologjike dhe funksionoi deri në vitin 1940.

Jorga që jetoi mes viteve 1871 dhe 1940 Ballkanin e konsideronte vendlindje, duke aspiruar dhe përpjekur të përhapë civilizimin europian në të gjithë rajonin. Ishte Jorga që zbuloi në Bibliotekën e Firences dhe publikoi menjëherë dokumentin e parë në gjuhën shqipe, një formulë pagëzimi, e shkruar nga Peshkopi i Durrësit, Pal Ëngjëlli. Jorga ka shkruar rreth 250 artikuj që hedhin dritë mbi origjinën dhe formimin e shtetit shqiptar.

Libri historik i titulluar “Një histori e shkurtër e Shqipërisë”, u botua më 1919 në gjuhën frënge dhe u shpërnda në gjithë Europën. Argumenta historikë nga ky libër janë përdorur si material referues nga delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes në Londër, që ishte themeltare për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për çështjen e kufijve.

Top Channel