Skënderbeu-Kukësi, rivalët “mprehin shpatat”

21/10/2016 00:00

Skënderbeu-Kukësi është sfida kyesore e kësaj fundjave në Kategorinë Superiore. Kampionët në fuqi do të kërkojnë që të harrojnë menjëherë humbjen e pësuar ndaj Tiranës, por skuadra e Kukësit do të jetë një provë e vërtetë për ta.

Trajneri Agostinelli nuk shfaqi asnjë shqetësim për atë disfatë me bardheblutë dhe theksoi se, ndaj Kukësit, skuadra e tij do të luajë për të fituar.

“Në prag të një ndeshjeje nuk ka asnjë trajner, që të thotë se nuk mund ta fitojë atë. Për ne, kjo me Kukësin do të jetë një përballje që mund ta fitojmë, duke parë forcën tonë. Do të luajmë kundër një skuadre shumë të rëndësishme, kështu që do të jetë fusha, ajo që do të thotë të vërtetën. Ne do të kërkojmë të fitojmë. Kemi arritur që të triumfojmë në 6 nga 7 ndeshje, shpresojmë që të vazhdojmë me këto statistika”, tha Agostinelli.

Edhe trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka beson se skuadra që ai drejton do të marrë një rezultat pozitiv ndaj Skënderbeut, të cilin ai e vlerësoi në maksimum.

“Kemi strategjinë tonë për në Korçë. Të vazhdojmë të mbajmë distancën që kemi, por pse jo, ta ulim edhe më shumë. Kukësi nuk është inferiore. Për çdo ndeshje në transfertë bëjmë strategjinë tonë. Duke pasur parasysh kush është Skënderbeu, që ka marrë shumë pikë, do të marrim masat. Jemi të përgatitur për makinerinë e rëndë të Skënderbeut. Luan apo jo Salihi, nuk ka rëndësi“, tha Gjoka.

Sfida mes Skënderbeut dhe Kukësit do të luhet ditën e shtunë. Po në këtë ditë do të luhen edhe ndeshjet Korabi-Partizani dhe Laçi-Flamurtari. Java e 8 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me sfidat Vllaznia-Teuta dhe Luftëtari-Tirana, që do të luhen ditën e dielë.

Top Channel