Të lexosh një libër në shtëpi kur gjen pak kohë të lirë, apo të presësh sërish verën për të lexuar gjatë pushimeve? Tani libri mund të lexohet edhe në natyrë, në një ambient të improvizuar, teksa bën një shetitje nga Kodrat e Liqenit.

“Little free library” apo “Bibliotekat në rrugë” është një projekt i Ministrisë së Kulturës për Muajin e Leximit dhe është një nga dy konkurset që organizojmë. Këtu tek Kodrat e Liqenit ishin të rinjtë e Ambasadës Amerikane që preferuan të mos marrin pjesë në konkurs, por të konkretizonin këtë ide. Shpresojmë që do të ketë sukses dhe që librin do ta kemi sa më pranë vetes”, thotë Elsa Myftaraj, Specialiste në Drejtorinë e Librit në Ministrinë e Kulturës.

“Menduam që kombinimi më i mirë i leximit do të ishte libri në natyrë. Kjo është arsyeja pse vendosëm këtë kend në këto ambiente për t’i dhënë një fytyrë të re parkut e për ta kombinuar atë me librin”, deklaron Fjoralba Caka, Presidente e Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane.

Fjala magjike për të përvetësuar një titull nga këto miniblioteka është “Merr një libër dhe dhuro një libër”, një procedurë që bëhet në praninë e vullnetarëve. Por duket se në orët e vona, lexuesit kanë përfituar vetëm për të marrë libra, ndaj për ta Fjoralba ka një thirrje.

“Njerëzit ndoshta i kanë marrë librat, do t’i lexojnë e do t’i kthejnë sërish. Ne e kishim këtë frikë kur nisëm këtë nismë dhe menduam se shtëpitë do të shkatërroheshin e do merreshin libra që nuk do të ktheheshin më. Por thamë; pse mos ta sfidojmë këtë mentalitet dhe t’i japim një besim të rinjve? Ndaj urojmë që cilido që ka marrë një libër ta rikthejë atë e pse jo të sjellë edhe një tjetër shtesë”, thotë ajo.

Shtëpizat e librit është një projekt që do të shtrihet edhe në Kamëz, Shkodër si edhe në qytete të tjera.

Top Channel