Punëtorët e drogës, në gjykatë. 4 në burg

21/10/2016 00:00

Quhet Besmir Vathi, është 18 vjeç. Ai duhet të ishte në shkollë, por prej dy javësh punonte në magazinën e drogës së zbuluar në Derven të Fushë-Krujës, ku u bllokuan 1.3 ton hashash. Besmiri i ka rrëfyer gjykatës gjatë masës së sigurisë se paguhej me 1 mijë lekë dita për pastrimin e boçeve të drogës.

Jam në vitin e katërt, ka pohuar ai, dhe më duhet të ndihmoj familjen, pasi jam jetim e për këtë më duhej të punoja ca ditë. Ai u la në masën arrest me burg. Më herët, të njëjtin version dha gjatë masës së sigurisë edhe i mituri Ersaldo Nikolla, 16 vjeç, i cili për shkak se është i mitur, prokurori kërkoi detyrim paraqitjeje, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda. 

Dy djemtë, të cilët janë nga i njëjti fshat ku u zhvillua aksioni antidrogë, ndodhen mes 11 të arrestuarve për katër vepra penale, më e rënda e tyre “grup i strukturuar kriminal” dhe “prodhim e shitje e narkotikëve”. U lanë në arrest me burg edhe punëtorët e tjerë në vendin ku u sekuestrua bima narkotike: Erjon Vathi, Ali Kuçi dhe Ferit Sulaj. Ky i fundit i rrëfeu gjyqtarit se është nga Burreli dhe se pronari i magazinës, Kujtim Rexhepi, e kishte telefonuar duke e pyetur “a do punë?”

Ferit Sula, 45 vjeç, kishte pranuar dhe punonte për pastrimin e paketimin e drogës. Ndërkohë që të shtunën do të zhvillohet masa për 6 pesona të tjerë, ku ndodhen edhe të dyshuarit kryesorë si sponsorizuesit e kultivimit të drogës.

Top Channel