Afron Milan-Juventus,  Bacca titullar, Juve me ndryshime

21/10/2016 00:00

Pasi u arkivuan kupat europiane në Serinë A është rikthyer fokusi te pikët e çmuara të vlefshme për renditjen që do të ndryshojë këtë fundjavë. Pjata kryesore e menusë futbollistike italiane do të shërbehet të shtunën në orën 20:45, kur në “San Siro” do të përballen Milan dhe Juventus.

Respektivisht i dyti dhe i pari i “klasës” do të kenë ndryshime në formacion. Për Milanin pritet që nga minuta e parë të luajë sulmuesi kolumbian Bacca, në një tredhëmbësh ofensiv bashkë me Suso dhe Niang. Duket se në këtë mënyrë trajneri Montella nuk do të kënaqet me një barazim ndaj kampionëve në fuqi të serisë A. Në repartin e prapavijës do të rikonfirmohet Abate ndërsa në mesfushë ka një balotazh mes talentit Locatelli dhe Soza-s.

Në skajin tjetër, formacioni torinez me shumë gjasa do të rikonfirmojë skemën 3-5-2, me marokenin Medi Benatia në vend të Ciellini-t në mbrojtje. Braziliani Hernanes shihet si favorit ndaj Lemina-s, por për të do të vendosë trajneri vetëm të shtunën. Marchisio do ta nisë sfidën nga pankina, ndërsa në sulm nuk ka asnjë dilemë. Ofensiva e “Zonjës së Vjetër” në “San Siro” do të jetë nën inspirimin e dyshes argjentinase, Dybala-Higuain.

Po të shtunën, do të zhvillohet një tjetër ndeshje emocionuese në Serie A me derbin mes Sampdorias dhe Xhenoas në orën 18:00.

Top Channel