Simeone, e ardhmja në Premier League

21/10/2016 00:00

Diego Simeone ka një kontratë me madrilenët e Atletico Madrid deri në 2018, por edhe pse është e vështirë mund të ketë një ndarje me të shpejtë me spanjollët. Chelsea përpara se të zgjidhte italianin Conte e provoi, ndërkohë që te Interi kanë kohë që flasin për një rikthim. Madje sa herë që Interi nuk arrin të marrë rezultate pozitive, Cholo shihet si shpëtimtari.

Pra zërat e merkatos për teknikun argjentinas janë nga të gjitha anët, edhe pse lidhja e tij me Atletico Madrid duket e konsoliduar. Por kur je një trajner fitues qëndron gjithnjë në vitrinë dhe mediat britanike e shikojnë të mundur një afrim në kampionat anglez të tij.

Sipas Mirror e ardhmja e Cholos do të jetë e lidhur me emrat më të mirë të momentit, Guardiola, Klopp dhe Mourinho. “Në vitin 2018, por ndoshta edhe më përpara, Simeone do të dojë të vijë në Premier League për t’u përballuar me më të mirët”, shkruan tabloidi britanik.

Për momentin nuk ka një adresë të saktë, por indiciet më të mira janë për një lidhje me blutë e Londrës, Chelsea, që sipas pronarit Abramovich, duhet të kthehen një skuadër fituese.

Top Channel