Komiteti Drejtues i LSI, Meta: Luajalë me koalicionin. Kujdes “mbetjet”

21/10/2016 00:00

Mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së nuk ishte vetëm një shpallje platformash e tre kandidatëve për  kryetar. Takimi u duk se ishte hapi i parë zyrtar se LSI-ja do t’i bëjë rezistencë vendimeve të qeverisë, të paktën atyre që kanë ndikim tek qytetarët.

I tillë është ligji i mbetjeve, i kthyer në Parlament nga presidenti dhe që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta kalojë shumë lehtë.

“Miratimi i ligjeve në mënyrë konfliktuale, edhe kur konflikti është i stisur nga opozita apo grupe të caktuara, por edhe kur zbatimi i ligjeve shoqërohet me një dyshim të përhershëm, nuk është pozitiv për shoqërinë”, deklaroi Meta.

Aleati kryesor i socialistëve propozoi dialog dhe ekspertizë nga Bashkimi Europian.

“Derisa të gjithë e kemi pranuar BE-në, përsëri nuk ka asnjë arsye përse, nëse nuk jemi të aftë që të zgjidhim dhe të shterojmë çdo arsye për të qenë mosbesues, të mos e pranojmë një ekspertizë të thelluar të Bashkimit Europian në këtë drejtim”, tha Meta.

Më tej, Meta u duk shumë më i moderuar se dy rivalët e tij kur u fol për koalicionin.

“LSI sot i ka të gjitha mundësitë, në vizionin tim dhe tuajin besoj, që të synojë marrjen e pushtetit. Një forcë që nuk e ka këtë synim fillon dhe ka probleme me besimin në vetëvete. Ndaj, elementi i parë i platformës sime është hapja. Ne duhet të heqim dorë nga ideja se kjo pjesa këtu është pjesa ime dhe nuk futet dot tjetri”, tha Shezai Rrokaj.

“Ne jemi forca politike me rritjen më të madhe. Ne përfaqësojmë një pol besimi dhe një pol shprese, si çkodues kryesorë të bipolarizimit të ngurtë për të cilin aq shumë luftuan dy partitë e mëdha, që në bindjen time do të përpiqen ta ruajnë edhe në ardhmen këtë qasje arrogante”, tha nga ana tjetër Përparim Spahiu.

“LSI, pavarësisht nga pretendimet e të gjithë kolegëve, përfshirë edhe dy kandidatët e nderuar për kryetar, është një forcë e cila është identifikuar qartë me stabilitetin politik të vendit dhe i ka shërbyer me besnikëri këtij stabiliteti. Po kështu edhe me vullnetin e saj për t’i qëndruar marrëveshjeve, përfshirë edhe marrëveshjes së koalicionit në mënyrën më luajale dhe konstruktive, jo thjesht për koalicionin qeverisës, por në raport me qytetarët ndaj të cilëve kemi detyrimin më të parë”, u përgjigj nga ana e tij Meta.

Por kjo nuk do të thotë se pas 6 nëntorit, Meta nuk do të dëgjojë zërat ndryshe brenda partisë.

Top Channel