Obama sulmon Trump: Komenti për zgjedhjet, i rrezikshëm

21/10/2016 00:00

Deklaratën e Donald Trump se mund të mos pranonte rezultatin e zgjedhjeve presidenti amerikan Barack Obama e ka cilësuar si të rrezikshme.

Duke folur gjatë një tubimi elektoral të kandidates demokrate në Miami, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se komentet e republikanit minonin demokracinë amerikane.

“Kur përpiqesh të mbjellësh farat e dyshimit në mendjet e njerëzve lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve tona, po cenon demokracinë. Do të thotë se t’i po bën punën e kundërshtarëve tanë, pasi demokracia e vendit mbështetet tek besimi i popullit se vota e tij ka vlerë”, u shpreh Obama.

Gjatë debatit e fundit televiziv me rivalen e tij në garën për presidencën, manjati i pasurive të paluajtshme hezitoi të jepte një përgjigje të qartë nëse do ta pranonte ose jo rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit. Pak orë më vonë, gjatë një fjalimi në Ohio, tha se do ta pranonte rezultatin vetëm në rastin e një fitoreje të tij.

“Dua t’i premtoj të gjithë votueseve e mbështetësve të mi se do t’i pranoj plotësisht rezultatet e këtyre zgjedhjeve historike presidenciale, nëse unë fitoj”, tha Trump.

Trump është kritikuar ashpër edhe nga shumë pjesëtarë të partisë së tij për një sugjerim të tillë, që erdhi pas akuzave se votimi është i manipuluar në dëm të tij, nga mediat e kundërshtarët politik.

Senatori republikan John Mc Cain, i cili humbi përballë Obama-s 8 vite më parë tha se pranimi i rezultatit është një akt respekti për vullnetin e popullit amerikan, çka sipas tij është një përgjegjësi e çdo udhëheqësi.

Edhe zonja e pare Michelle Obama ju bashkua sulmeve kundër kandidatit republikan të enjten, duke thënë se demokracia amerikane nuk mund të mbahet pezull.

Biznesmeni njujorkez është tejkaluar në sondazhe nga Clinton, pas akuzave të shumë grave për ngacmime seksuale. Edhe pse gjatë debatit në Las Vegas, ai i cilësoi pretendimet si trillime, një tjetër grua i shtohet listës së viktimave të mundshme të miliarderit.

Ajo është Karena Virginia, e cila tha gjate një konferencë se në 1998 Trump i kishte prekur gjoksin dhe kishte bërë komente fyese për të.

Top Channel