Gjyqi ndaj Kastriot Ismailajt, dështon seanca e dëshmisë së Elvis Matës

21/10/2016 00:00

Leximi i dëshmisë së Elvis Matës në procesin ndaj ish-administratorit të DIA-s, Kastriot Ismailajt, po bëhet një mision i pamundur. Ismailaj akuzohet se ka përvetësuar shuma të konsiderueshme nga mbledhja e borxhit për faturat e papaguara të energjisë elektrike për llogari të CEZ-it.

Avokati i Ismailajt, Alban Qafa, ka braktisur seancën e së premtes me pretendimin se trupi gjykues po shkel të drejtat proceduriale të pandehurit dhe se po bën lojën e prokurorisë. Ky ngërç nisi menjëherë pasi gjykata vendosi të lejojë prokurorinë që të lexojë në sallën e gjyqit, dëshminë e ish-drejtorit ekzekutiv të DIA-s, Elvis Matës, i cili është zhdukur pas dhënies së kësaj dëshmie.

Për të kundërshtuar marrjen e kësaj dëshmie, që konsiderohet si një nga provat më të forta të akuzës, avokatët e Ismailajt pretendojnë se kjo dëshmi është dhënë për llogari të OSHEE-së dhe është përdorur edhe në Arbritazh dhe si e tillë nuk mund të merret si provë. Madje ata kanë kërkuar edhe përjashtimin e trupit gjykues, i cili nga ana tjetër, duke parë refuzimin e avokatëve për të vijuar procesin, është detyruar që të caktojë 4 avokatë kryesisht që të njihen me dosjen dhe që të jenë të gatshëm në çdo moment për të vazhduar procesin.

Top Channel