Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballen në debatin e tyre të fundit më pak se tre javë nga zgjedhjet më të jashtëzakonshme presidenciale amerikane. Dy kandidatët më pak popullorë janë vënë në garë se kush të ekspozojë më shumë skandalet e njëri-tjetrit. Por cili është impakti i këtyre zgjedhjeve mbi botën, për më shumë mbi Shqipërinë, kur edhe politika në Tiranë ka bërë tashmë zgjedhjet e saj?

Për këtë, sondazhet dhe pasojat e zgjedhjes së njërit apo kandidatit tjetrit në krye të Shteteve të Bashkuara, u diskutua këtë të enjte në Top Story me një panel të zgjeruar politikanësh, analistësh dhe diplomatësh.

Nga politikanët shqiptarë, Kryeministri Edi Rama ka qenë ai që është treguar më i drejtpërdrejti kundër Donald Trump dhe këtë e ka bërë as më pak dhe as më shumë në një intervistë për CNN. Por a mund të dëmtojë kjo deklaratë e Kryeministrit Rama marrëdhëniet me Uashingtonin nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë zgjidhet Trump?

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi përjashtoi mundësinë që kjo deklaratë të sjellë pasoja.

“Deklarata e Ramës nuk pati ndonjë ndikim të madh në media dhe as Shqipëria, madje as Ballkani nuk është përmendur në fushatë. Politika e jashtme amerikane ka qenë lineare ndaj shqiptarëve, Shqipërisë dhe Ballkanit, pra edhe nëse fiton Trump, nuk do të ketë ndryshim”, u shpreh ai.

Pjesë e panelit të të ftuarve, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Tomor Alizoti nuk foli për pasoja, por sërish e cilësoi të pamatur deklaratën e bërë nga Kryeministri.

“Është e papranueshme që të prononcohet një figurë e lartë e shtetit shqiptar mbi një kandidat në Shtetet e Bashkuara. Është një gafë politike dhe nga ana politike dhe diplomatike nuk është korrekte”, u shpreh ai.

Ish-ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe diplomati Fatos Tarifa rezervoi një qëndrim më të moderuar. Ai ndonëse nuk e miraton si qëndrim, e vlerëson atë si të vërtetë.

“Liderit të një vendi si nuk i takon të shprehet për individë që synojnë të marrin një detyrë të caktuar, por në rastin konkret është e vërtetë dhe e vërteta për mua është gjithçka”, u shpreh ai.

Thuajse në të njëjtën linjë u ndal edhe Arjan Vasjari, por duke shtuar se vetë kryeministri Rama përafrohet shumë me Trumpin.

“Unë personalisht do të parapëlqeja që Kryeministri të përgjigjej modest dhe të mos shprehej për atë garë. Megjithaë vetë Edi Rama është më shumë afër Trump, është pa filtra dhe thotë atë që mendon. Por unë nuk e shoh këtë si një koment negativ dhe nuk e gjykoj si të tillë, por do të parapëlqeja që kryeministri i vendit tim të mos përfshihej në një garë”, tha ai.

Përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali justifikoi deklaratën e Kryeministrit Edi Rama me argumentin se shqiptarët janë përfolur nga vetë kandidati republikan.

“Kryeministri nuk bëri një deklaratë për punët e brendshme në Shtetet e Bashkuara. Kryeministri ka bërë një deklaratë përsa i përket një qëndrimi të paditur, për të mos ta quajtur injorant në raport me Ballkanin”, u shpreh ajo.

Ndryshe nga të tjerërt, analisti Eduard Zaloshnja ndau një mendim tjetër. Ai paralajmëroi pasoja për Kryeministrin Rama nëse zgjidhet Trump në krye të SHBA.

“Në gjithë këto vite Donald Trump la treguar që është një njeri që nuk harron të kthejë kusurin dhe nëse zgjidhet Trump, Edi Rama si kryeministër do të ketë probleme”, deklaroi ai.  

***
Në pjesën e parë të Top Story të ftuarit komentuan fushatën zgjedhore, retorikën e kandidatëve dhe favoritin.

“Nuk ka patur në SHBA një fushatë të tillë zgjedhore dhe në një dilemë të tillë, me dy kandidatë që janë shumë që të dy që përçajnë. Nuk e besoj që Donald Trump do të jetë President, megjithëe eventualisht edhe mund të ndodhë. Dy kandidatët nuk kanë qenë në gjendje që të unifikojnë elektoratin e përçarë prej vitesh”, deklaroi diplomati Fatos Tarifa.

Analisti Eduard Zaloshnja u ndal në faktin që sipas sondazheve, grupi që mbështet më fort Donald Trump janë të bardhët pa arsimin e lartë, që shkojnë deri në 80 përqind, ndërsa Alizoti foli për një garë të vështirë.

“Gara do të jetë shumë e fortë dhe shumë e vështirë dhe do të ketë të papritura, pse jo edhe nga Trump. Është e rrezikshme si garë”, u shpreh anëtari i Kryesisë së PD-së.

Analisti Preç Zogaj njohu një meritë të Trump.

“Ai sfidoi burokracinë e partisë së vet, i mundi senatorë të republikanëve me votë. Kjo tregon manifestimin e demokracisë dhe gjithçka mund të ndodhë. Megjithatë, për mendimin tim duket që Clinton do të fitojë, megjithëse të papritura mund të ketë”, tha ai.

Elisa Spiropali e cilësoi Donald Trump si populist që ka përfituar nga paniku i njerëzve dhe pavendosmëria e udhëheqësve tradicionalë.

“Kjo fushatë nuk ka qenë fushata më e bukur në SHBA. Ka një tendencë të kandidatëve dhe personave që mbërrijnë jashtë partive politike. I tillë është Donald Trump që përdor frikën dhe pamundësinë e kandidatëve tradicionalë për të thënë të vërtetën. Donald Trump luan me frikën e qytetarëve dhe e përdor këtë shumë mirë”, u shpreh ajo.

Arjan Vasjari e cilësoi betejën Trump-Clinton në nivelin mesatar të garave për President në SHBA.
 
“Obama nuk po e lë botën sot më të sigurtë se 8 vjet më parë dhe Clinton është bashkëpërgjegjëse në këtë, ndaj unë shoh që ballafaqimi Clinton Trump zbret nën kuotat normale që ka qenë deri më tani një ballafaqim për President të SHBA”, u shpreh ai.

Nga Uashingtoni, gazetari Ilir Ikonomi foli për një avantazh të ndjeshëm të Hillary Clinton. Ai tha se kandidati republikan po humbet terren gradualisht dhe sidomos me komentet për gratë, refugjatët dhe emigrantët. Lidhur me deklaratën mbi njohjen ose jo të zgjedhjeve, kjo duket se ka zënë të papërgatitur edhe vetë amerikanët.

“Komentet e brendshme të tij për kredibilitetin e zgjedhjeve në SHBA po diskutohen dhe këtë nuk e ka bërë askush më parë. Kjo do të thotë që demokracia e amerikanëve të vihet në pikëpyetje”, deklaroi Ilir Ikonomi.

Top Channel