Debati i tretë presidencial, me në qendër politikën e jashtme të SHBA-ve

20/10/2016 00:00

Politika e jashtme ishte një nga pikat kyçe të përballjes së tretë e të fundit televizive mes Hillari Clintonit e Donald Trumpit në Las Vegas. Ftohtësia mes dy kandidatëve ishte thelluar këtë herë edhe më shumë. Nuk pati përshëndetje në fillim të eventit, e as shtrëngim duarsh në fund. As për kortezi.

Që në fillim u pa qartë se goditjet do të ishin pa kursim. Por përsa i takon kësaj çështjeje të vështirë e me peshë në të ardhmen e Amerikës, Clinton hyri në sallë me epërsinë e ish-shefes së diplomacisë.

Hendeku i eksperiencës në këtë fushë mes saj dhe kundërshtarit është i qartë. Trumpi marshoi përmes paraprakeve republikane me disa receta të ashpra, ndonjëherë kontradiktore e shpeshherë pa substancë që shumë-shumë arritën të trallisin turmën populiste.

Pozicioni i Clintonit ka qenë më i vendosur, edhe pse për disa konservatorë ajo është e dobët dhe pajtuese si presidenti aktual, ndërsa të tjerë e shohin si “fajkua” nën pektun e liberales. Ashtu siç ishte parashikuar, gjatë përballjes u shtypën disa “butonë” të nxehtë të politikës së jashtme, duke nisur nga Siria dhe Iraku.

Clinton tha se nuk do të dërgonte trupa tokësore në Irak, sepse Shteti Islamik në Mosul do të mposhtet. Sa për Sirinë, konsideron se ajo do të mbetet një vatër terrorizmi, për sa kohë që do të vazhdojë lufta civile. Donald Trump, si përherë foli pa doreza. Operacioni për kontrollin e Mosulit – sipas tij, – u ndërmor në këtë moment për ta ndihmuar Clintonin të fitojë zgjedhjet.

“E vetmja arsye përse e bënë një gjë të tillë është sepse ajo po kandidaton për presidente dhe duan që të duken të fortë. Duan që situata të duket sa më mirë, që ajo të dukej sa më mirë për zgjedhjet. Prandaj dhe i hynë kësaj historie”, tha Trump.

Hillary u përgjigj duke kujtuar prirjen e rivalit të saj ndaj teorive konspirative.

“Më habit sesi mund të arrijë të mendojë që qeveria irakiane, aleatët tanë e kushdo tjetër e nisi sulmin në Mosul me qëllimin që të më ndihmonte mua në zgjedhje. Por kjo është mënyra e të menduarit që ka Dolandi. Gjithmonë në kërkim të një komploti”, tha Clinton.

Manjati njujorkez e akuzoi kandidaten demokrate edhe për ngritjen e Shtetit Islamik.

“Nuk duhet ta kishit lejuar ISIS-in të ndodhte që në fillim”, tha Trump.

Në fokus të moderatorit Chris Wallace të “Fox News” ishte edhe situata në Aleppo. Trump kaloi në sulm të hapur. Gjendja e mjerueshme ku ndodhet sot qyteti sirian dhe banorët e tij, për republikanin është pasojë e vendimeve të këqija.

“E keni parë se çfarë po ndodh në Aleppo?”, pyeti Trump.

Moderatori: Po, ka rreth një çerekmilioni njerëz që jetojnë atje e që po masakrohen.

“Po, po masakrohen. Për shkak të vendimmarrjes së keqe. Një pjesë e mirë e kësaj që po ndodh sot është për shkak të Clintonit, sepse luftoi Assadin, i cili rezultoi shumë më i fortë nga sa mendonte ajo. Më i fortë dhe më i zgjuar sesa Hillari dhe se Obama”, tha Trump.

Clinton u përgjigj se ndan bindjen që vendosja e një zone të ndalimfluturimit do të shpëtonte jetë e do të shpejtonte fundin e konfliktit. Por kundërshtarit iu kthye ashpër me argumente për çështjen e emigrantëve.

“Dua t’ia jap Donaldit një përgjigje për këtë, se e shoh që mbeti duke e përsëritur këtë pretendim. Nuk kam për të lejuar asnjëri të hyjë në këtë vend pa u verifikuar imtësisht. Këtu nuk do të hyjë asnjëri, tek i cili nuk kemi besim. Por unë nuk do t’ua mbyll derën në fytyrë grave dhe fëmijëve. Figura e atij djalit katërvjeçar në Aleppo, me gjakun që i kullonte në fytyrë ndërsa qëndronte ulur në autoambulancë, nuk shqitet lehtë nga mendja”, tha Clinton.

U prek mes të tjerash dhe çështja e Iranit. Trump u shpreh se Republika Islamike duhet të falënderojë Shtetet e Bashkuara, sepse Irani “po merr nën kontroll” Irakun. Sa për Rusinë, miliarderi e preku dhe këtë temë plot pasion, duke e kritikuar kundërshtaren se Putini e ka vënë në majë të gishtit në çdo hap, sidomos në Lindjen e Mesme. Clinton kujtoi sulmet kibernetike dhe manovrat e saj të spiunazhit kundër popullit amerikan.

Top Channel