Afrikë, afron Kupa e Kombeve. Shqetësim paneuropian për Gabonin

20/10/2016 00:00

Do të fillojë në Gabonin, që deri dje ishte në prag të një lufte civile, në mes të Janarit. Por alarmi për Kupën e Kombeve të Afrikës ka nisur të shqetësojë që tani klubet e futbollit europian.

Të prekurit kryesorë nga eksodi i yjeve për turneun e kontinentit të zi do të duhet të vendosin futbollistët në dispozicion që nga mesi i dhjetorit, e kjo nënkupton që afrikanët në hipotezën më të keqe do të mungojnë për dy muaj.

Në qytetin e Librëvij u formalizua dhe shorti i grupeve për edicionin e 31-të të këtij turneu unik për sensacionin, frekuencën e përsëritjes dhe emocionet. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 14 janar në ditën e ceremonisë së hapjes, ndërsa finalja e madhe që do të kurorëzojë “mbretëreshën” e futbollit afrikan do të jetë më 5 shkurt.

Në Serie A, Bundesliga, Premier League, e mbi të gjitha në kampionatin francez të futbollit, pritet të mos jenë aktivë që nga mesi i dhjetorit shumë yje të ekipeve, të impenjuar me kombëtaret. Por nuk është vetëm çështja e lojës një problem për Kupën e Kombeve.

Shteti organizator, Gaboni u përfshi muajin e kaluar nga një valë e përgjakshme dhune pas procesit zgjedhor, dhe u vu në dyshim për të organizuar turneun. Federata mbeti stoike dhe Kupa e Kombeve do të luhet në 4 qytete, me vendasit që kanë një grup, të paktën në letër, të kalueshëm.

Presidentët e ekipeve europiane po nisin të luten që tani, që lojtarët të mos pësojnë dëmtime, gjithmonë nëse incidentet apo krimi i rrugës nuk do t’i rezervojë një fat më të keq.

Top Channel