Trump trondit votuesit: Mosnjohja e zgjedhjeve nuk është normale

20/10/2016 00:00

Njujorkezët janë shprehur të tronditur nga refuzimi i kandidatit presidencial, Donald Trump, për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve, nëse humbet më 8 nëntor.

Shumica e të intervistuarve e bënë të qartë se nuk e konsiderojnë normale një gjë të tillë, por duke pasur parasysh sesa polemizues është personazhi në fjalë, nuk iu bën edhe aq çudi.

“Ishte goditje për mua, të them të drejtën, por s’është se nuk e prisja nga ai. Është nga ata humbësit idhnak. Me pak fjalë, kur gjërat nuk shkojnë siç do Trumpi, duhet të jenë patjetër të manipuluara”, tha Steve Chiprut, specialist marketingu.

“Toni i kandidatit republikan në debatin e fundit ishte fëminor dhe shumë më personal. Nuk besoj se kjo është mënyra e duhur për të qenë një kandidat presidencial”, tha Alyson Carosello, dizenjuese aksesorësh.

“Mendoj se Hillary doli shumë mirë, ashtu siç ndodhi dhe në debatin e mëparshëm. Ndërsa Trumpi ishte Trumpi. Nuk e përshkruan dot ndryshe”, tha Monique Wyatt, banore e Nju Jorkut.

“Për mua nuk ndryshoi asgjë. Ishte thjesht një lloj tjetër fyerje që i kthehet mbrapsht. Është duke e zhytur veten në gropë gjithmonë e më shumë”, tha Zach Eckstein, banor i Nju Jorkut.

Në debatin e tretë e të fundit televiziv, miliarderi njujorkez refuzoi t’i jepte një përgjigje të qartë pyetjes së moderatorit Chris Wallace, mbi njohjen e rezultatit të zgjedhjeve, për të cilat pretendon prej ditësh se janë manipuluar.

“Këtë do t’iua them kur të vijë momenti i duhur”, ishte përgjigjja e Trumpit. “Do t’iu mbaj pezull”.

Top Channel