Merkel e Hollande dështojnë për “Ukrainën”, arrijnë progres për “Sirinë”

20/10/2016 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, François Hollande, ushtruan presion ndaj presidentit rus Vladimir Putin për të shtyrë edhe më tej “armëpushimin humanitar” në Siri, por edhe për të ndalur njëherë e mirë bombardimet “kriminale” ndaj civilëve.

Pas takimit të mbrëmjes së të mërkurës, konkluzioni ishte se u bë pak progres sa i përket synimit për t’i dhënë fund dhunës.

“Jemi duke folur këtu mbi aktivitetet kriminale, mbi krimet kundër njerëzimit”, tha Angela Merkel përpara reporterëve, pas asaj që e përshkroi si diskutim i vështirë me Putinin në lidhje me krizën në Siri.

Presidenti francez, François Hollande përdori frazën “krime lufte”, ndërsa që të dy udhëheqësit kritikuan Rusinë për sulmet ndaj popullatës civile nën justifikimin se po luftojnë terrorizmin.

“Kemi rënë dakord që terrorizmi duhet luftuar, por jo me çmimin e rëndë që përfshin humbjen e jetëve të rreth 300 mijë banorëve, apo shtimin e vuajtjeve ndaj tyre në mungesë të nevojave më të domosdoshme”, tha Merkel.

Në një konferencë më vete për shtyp, Putin tha se Moska kishte propozuar gjatë bisedimeve që të përshpejtohej miratimi i Kushtetutës së re në Siri, për të lehtësuar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa shtoi se Rusia ishte e gatshme të zgjaste “armëpushimin humanitar” në Siri.

Hollande, nga ana e tij, deklaroi se në Siri nevojitet një armëpushim edhe më i gjatë nga sa ishte vendosur apo nga sa mund të shtyhej. “Një frenim prej disa orësh nuk ka aspak kuptim”, tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp me Merkelin, pas bisedimeve. “Çështja kyçe është popullsia civile në Aleppo, e cila nuk mund të vijojë të jetojë në ato kushte të papërballueshme dhe mizore”.

Ndërkohë, gjatë takimit tjetër me udhëheqësit e Francës, Rusisë dhe Ukrainës, që zgjati për mbi 5 orë, Merkel tha se u arrit progres, edhe pse në përmasa të vogla. Këtu përfshihet edhe marrëveshja për udhërrëfyesin paraprak mbi implementimin e marrëveshjes së paqes të Minskut, që ka ngecur prej kohësh.

Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve do të hartojnë detajet e planit në nëtor, por përpara tyre mbetet ende shumë punë e vështirë për t’u bërë, deklaroi Merkel.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko tha se palët arritën marrëveshje për tërheqjen e trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia nga 4 zonat e reja të fronit të luftës në rajonin e Donbassit.

Ata ranë dakord gjithashtu që monitorues nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) të mund të jenë të armatosur dhe se, procesi i tyre monitorues ndaj procesit të paqes të ashtuquajtur të Minskut nuk do të pengohet.

Trazirat separatiste nisën në lindje të Ukrainës në vitin 2014 dhe, prej atëherë, rreth 9.600 persona janë vrarë. Problemet vijojnë ende, pavarësisht armëpushimit të bërë në kryeqytetin bjellorus të Minskut, vitin e kaluar. Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për nxitje të dhunës.

Top Channel