Koreja e Veriut, tjetër testim i dështuar raketor

20/10/2016 00:00

Koreja e Veriut lëshoi një tjetër raketë, por testimi dështoi në mënyrë të menjëhershme gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes. Lajmi bëhet i ditur nga ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, vetëm pak orë pasi këto dy vende ranë dakord për të forcuar përpjekjet kundër kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Veriut komunist.

Raketa besohet të ketë qenë një “Musudan” me rreze të mesme veprimi dhe u lëshuar nga qyteti perëndimor i Kusongut, aty ku vendi i izoluar komunist u përpoq por dështoi të lëshonte një tjetër raketë të të njëjtit lloj ditën e shtunë.

Lëshimi i raketës erdhi vetëm pak pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut u rakorduan në Uashington për të forcuar përpjekjet diplomatike dhe ushtarake në kundërshtim të programeve bërthamore e raketore të Koresë së Veriut, të cilat po ndërmerren në kundërshtim të hapur me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ne dënojmë me forcë aktet e vazhdueshme të paligjshme provokuese të Veriut”, bëri të ditur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut në një deklaratë. Japonia e dënoi gjithashtu këtë testim dhe tha se do t’i dorëzonte një notë proteste formale Veriut përmes ambasadës së saj në Pekin.

Lëshimi i dështuar i raketës shënon edhe përpjekjen e 8 në 7 muajt e fundit nga Veriu komunist, kryesisht për lëshimin e një rakete me rreze prej afro 3.000 km, që lëshohen nga një makineri lëvizëze.

Koreja e Veriut ka vijuar të ndjekë me një shpejtësi të paprecedentë programet e saj bërthamore e raketore gjatë këtij viti. Në qershor, vendi i izoluar lëshoi një raketë “Musudan” që fluturoi rreth 400 km, më shumë sesa gjysma e distancës me Japoninë, një test që u konsiderua si sukses nga zyrtarët dhe ekspertët në Korenë e Jugut dhe Amerikë.

Koreja e Veriut njoftoi këtë të enjte se do të vazhdojë lëshimin e satelitëve, pavarësisht kundërshtimit të rivalit të saj jugor, përmes një deklarate të lëshuar nga agjencia e saj hapësinore, të transmetuar nga media shtetërore.

Top Channel