Itali, trafiku për prostitucion drejtohej nga burgu në Tiranë

20/10/2016 00:00

Një 37-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim në Shqipëri, drejtonte një bandë të shfytëzimit të prostitucionit në Firence, e cia është shkatërruar nga policia italiane.

Siç bëjnë me dije mediat e vendit fqinj, në pranga janë vënë 10 persona, ndërsa kreu i grupit është identifikuar pas telefonatave që kryente nga burgu në Shqipëri, me anëtarët e tjerë të bandës që ndodheshin në Itali.

Emri i 37-vjeçarit nuk bëhet i ditur, por nga ana tjetër mësohet se ai akuzohet në Shqipëri për tentativë vrasjeje.

Prostitucioni ushtrohej në zonën e Firences, ndërsa policia italiane ka marrë në mbrojtje edhe 15 vajzat që shfrytëzoheshin. Nga hetimet që kanë zgjatur rreth një vit rezulton se, për çdo veprim që bënin anëtarët e grupit të vënë nën përgjim, urdhrat vinin me telefon nga Shqipëria.

Banda menaxhonte dy rrugë në periferinë e qytetit të Firences dhe, në orarin që vajzat dilnin për të gjetur klientë, ato ruheshin nga shqiptarët. Pas gjetjes së çdo klienti, ato duhet të shkonin në apartamentet që dispononte grupi i trafikantëve, apartamente këto që ata i kishin marrë me qira.

Top Channel