Cher kundër Trump, këngëtarja: Nuk kam aspak respekt për të

20/10/2016 00:00

Aktorja dhe këngëtarja e mirënjohur Cher do t’i rikthehet një sezoni të ri koncertesh në fillim të vitit 2017. Por 70-vjeçarja, e cila prej disa dekadash ka pushtuar skenën ndërkombëtare, u rreshtua në mesin e shumë artistëve të tjerë që janë kundër Donald Trump.

“Ai e ka ulur nivelin e zgjedhjeve në një pikë aq të ulët saqë askush nuk e kishte imagjinuar më parë. Ai ka thënë gjëra të turpshme për gjërat bazike të njerëzimit, saqë tregon se për të Amerika nuk do të thotë asgjë”, u shpreh Cher.

Po ashtu, këngëtarja Cher shprehu çudinë se përse shumë njerëz shqetësohen nga fakti që nëse ai humbet, nuk do të pranojë të japë një fjalim përmbyllës.

“Dëgjoj shumë njerëz që e pyesin Trump: Çfarë do të bëni pastaj? Vërtet do ta bëni? Unë nuk kam asnjë respekt për atë, në asnjë lloj mënyre nuk gjej dot respekt për të”, tha këngëtarja.

Statuset e saj në “Twitter” kundër Trump janë thuajse të përjavshme. Madje ajo nuk ka ndjekur debatin presidencial të së mërkurës.

“Nuk e shoh dot debatin sepse nuk shoh dot Donald Trump. Ndonjëherë është mirë të hedh sytë e të shohësh se ç’bën armiku, por unë nuk e kuptoj fare. Trump është sikurse “Brexit” për mua: nuk i kam kuptuar kurrë!”, tha Cher.

Top Channel