Sistemi zgjedhor, Basha: Rama e keqpërdori, futi kriminelët

20/10/2016 00:00

Partia Demokratike nuk është e kënaqur me sistemin aktual zgjedhor, jo për defektet teknike të tij, por sipas Lulzim Bashës, për keqpërdorimin politik nga kreu i Partisë Socialiste.

“Sot kemi një sistem politik për të cilin jemi bashkëfajtorë. E nisëm me idenë që rajonal-proporcionali do të eliminonte dallkaukët, pse jo edhe kriminelët por falë Edi Ramës ky u kthye në djepin e krimit në politikë. Duke përdorur atributet që ka kryetari i partisë, listat e Partisë Socialiste u bënë si listat e galerave të Italisë, Belgjikës, ku shkoi i mori kriminelët dhe i solli”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha e ka deklaruar edhe më herët preferencën e tij për një sistem elektoral që afron zgjedhësin me deputetin e tij, por sipas kreut të opozitës, asgjë nuk mund të ndodhë pa zgjidhur problemin kryesor të zgjedhjeve në Shqipëri.

“Pa i prerë tentakulat e krimit nuk ka dhe nuk mund të ketë proces të ndershëm zgjedhor. Droga është një produkt i drejtpërdrejtë i simbiozës krim- pushtet. Droga është projekt politik dhe në fakt e vetmja ofertë politike, i vetmi instrument që Edi Rama ka për të mbajtur pushtetin. Nuk ka rrugë tjetër përveçse të kërkojmë largimin me çdo kusht të Edi Ramës. Dhe të garantojmë përmes një qeverisje pa Edi Ramën kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.

Top Channel