Viktima nga “loja e mbytjes”, alarm në Brazil

20/10/2016 00:00

Quhet “loja e mbytjes” dhe po shqetëson jo pak qytetarët në Brazil që kanë nisur një fushatë kundër saj.

Loja parashikon shtrëngimin e qafës me një peshqir ose rrip për të ndërprerë furnizimin e dikujt me oksigjen dhe më pas çlirimin e trysnisë për të dhënë atë që të rinjtë e quajnë ndjesi të lartë.

Praktika ka marrë disa jetë adoleshentësh dhe sipas ekspertëve përpos rrezikut të asfiksisë mund të sjellë edhe dëmtime në tru. Ka pasur raportime të të rinjve që kanë humbur ndjenjat ose janë rrëzuar në tokë duke marre goditje fatale në kokë.

Vitin e kaluar, djali 16-vjeçar i Jane Do Carmo, Thomas humbi jetën ndërsa po realizonte lojën e rrezikshme në banjën e shtëpisë së tyre në Sao Paolo.

Qe prej vdekjes së të birit, Jane dhe familja e saj janë përpjekur të sensibilizojnë komunitetin dhe sistemin shkollor lidhur me rreziqet e atyre që adoleshentët i konsiderojnë si mënyra të thjeshta për të çliruar adrenalinë.

“Konsiderohet si droga për djemtë dhe vajzat e mira që nuk duan të mërzisin familjet e tyre. Ata e kryejnë praktikën në fshehtësi dhe askush nuk do ta dijë, përveç shokëve të tyre…Për këte gjë nuk arrestohen”.

Edhe pse nuk janë zhvilluar shumë kërkime lidhur me lojën, një studim i 2009-s tek nxënësit e klasës së tetë në Oregon sugjeroi se 1 në 16 persona kishin marrë pjesë në sfidë. Por ishte rasti i një 13-vjeçari ai që i dha shtysë fushatës sesibilizuese në Brazil.

Ai vdiq në 16 tetor ndërsa ju nënshtrua praktikës, pas humbjes së një loje kompjuterike, i sfiduar nga një shok i tij. Uebsajti G1 raportoi se djali i identifikuar si Gustavo Detter u gjet i pajetë pranë kompjuterit, me një litar rreth qafës.

Edhe pse lojërat e asfiksisë janë praktikuar nga breza me radhë tek të rinjtë, ato po përhapen e po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për shkak të internetit.

“Ajo që dimë është se interneti ka kontribuar në përhapjen e informacionit se si t’i realizosh sfidat përmes videove të publikuara nga përdoruesit. Ata janë adoleshentë që i pranojnë sfidat, i filmojnë dhe presin me padurim të dinë se sa shikues do të kenë”.

Pas vdekjes së djalit te tij 16-vjeçar, Demetrio Jereissati krijoi institutin DimiCuida, për të parandaluar të rinjtë të marrin pjesë në lojë përmes kërkimeve dhe shkëmbimit të informacioneve me entitete të tjera në botë.

Top Channel