Siri, “armëpushim humanitar” në Alepo; por askush nuk largohet

20/10/2016 00:00

Në Alepo të Sirisë ka hyrë në fuqi “armëpushimi humanitar”, për t’u mundësuar civilëve, por edhe luftëtarëve, largimin nga vendi para se të rinisin bombardimet.

Armëpushimi i njëanshëm, i njoftuar nga Rusia, do të zgjasë disa orë. Tetë korridore për largimin nga qyteti janë ofruar për banorët në lindje të tij. Bombardimet ruso-siriane kishin ndalur që prej së martës.

Nga ana e tyre, rebelët e kanë refuzuar ofertën dhe raportohet se në një prej korridoreve po zhvillohen luftime. Ndërkohë, burime opozitare bëjnë të ditur se deri tani fare pak civilë janë evakuuar.

Korrespondenti i televizionit “Orient News”, me bazë në Dubai, deklaroi se ai dhe ekipi i tij kishin vizituar dy nga korridoret, ku kishin parë vetëm pak civilë duke u larguar.

Ammar Jaber akuzoi qeverinë siriane se ka vendosur snajpera nëpër korridore, të cilat i ka sulmuar edhe me raketahedhës. “Ka pasur luftime të ashpra dhe 15 vetë janë ndodhur nën zjarrin e snajperave”, ka thënë banori.

Ndërsa Wissam Zarqa, mësues në Alepo, tha për BBC: “Në dijeninë time, askush nuk mund të largohet”. Muajin e kaluar, forcat e qeverisë siriane rrethuan seksionin lindor të Alepos dhe nisën një sulm masiv të mbështetura nga trupat ruse.

Top Channel