Veliaj përuron përfundimin e ndërtimit të fushave të sportit në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”

20/10/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka përfunduar investimin për ndërtimin e fushave moderne sportive në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, që mund të përdoren për basketboll, futboll dhe sporte të tjera, si nga nxënësit, ashtu edhe nga komuniteti i Njësisë nr. 2.

“Jam shumë i lumtur që përfundojmë një investim fantastik, ndoshta më të mirin sportiv në shkollat e Tiranës, në një shkollë që e meriton si shkolla “Fan Noli”. Është një investim me fusha moderne për përdorim të shumëfishtë, jo vetëm për basketboll, por edhe për futboll e sporte të tjera, si karate, taekwondo, mundje, të gjitha aktivitetet sportive”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku solli në vëmendje edhe një sërë investimesh të tjera që janë duke u kryer në njësinë nr. 2, siç është ndërtimi nga para i shkollës “Hoxha Tahsin”: “Kjo shkollë është pjesë e një game investimesh në njësinë 2. Javën tjetër hapim Liceun, ndërkohë që kemi hedhur themelet për rindërtimin e shkollës ‘Hoxha Tahsin’. Ndërkohë që, sapo kemi nisur shpronësimin e shkollës “Kosova” për ta bërë edhe atë të re dhe besoj që njësia 2, në fund të këtij mandati do të ketë, jo vetëm shkollat më të mira në qytetin e Tiranës, por me shumë gjasa edhe në Republikë”.

Veliaj solli sërish në vëmendje angazhimin e Bashkisë për ndërtimin e 20 shkollave të reja, që brenda këtij mandati mos ketë më mësim me dy turne në asnjë prej shkollave të kryeqytetit: “Jam i ndërgjegjshëm se çështja e shkollave me dy turne mbetet problematike. Këtë vit po përfundojmë projektin për 20 shkollat. Njësia 2 do të marrë një pjesë të këtyre 20 shkollave për t’u siguruar që “Fan Noli” ruan cilësinë dhe duke qenë i ndërgjegjshëm se shumëfishimi i nxënësve në shkolla e shkatërron cilësinë. E vetmja mënyrë se si mund të vazhdojmë të ruajmë cilësinë e “Fan Nolit” është që të krijojmë hapësira. Ndoshta, shkolla si “Fan Noli” mund të menaxhojnë dy ndërtesa meqë njerëzit e duan reputacionin e dëftesës së “Fan Nolit”, por nuk mund të vazhdojmë më me 40-50 nxënës në klasë apo me dy turne kur, sidomos tani në dimër që errësohet shpejt, të kemi dramatika të kësaj natyre”.

Top Channel