Problemet me tifozët, Legia bllokon udhëtimet e tyre

20/10/2016 00:00

Ëndrra evropiane është shndërruar  në një makth për Legia Varshavë. Skuadra polake në këtë edicion të Ligës së Kampioneve ka pësuar 3 humbje me një bilanc 1 gol i shënuar e 13 të pësuar. Kësaj situate negative sportive iu shtohen problemet me tifozët.

Incidentet në ndeshjet me Dortmundin dhe sidomos ato në prag të sfidës me Realin e Madridit ku u arrestuan 12 persona, ka shtyrë klubin polak të ndërmarrë masa, duke bllokuar udhëtimin e tifozëve në stadiumet evropiane ku Legia do të luajë ndeshjet e saj.

Drejtuesit e Legias e bënë të ditur këtë masë të ndërmarrë nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter nga zëdhënësi i klubit Seweryn Dmowsky.

“Duke parë incidentet në Madrid, tifozët tanë nuk do të lejohen më të udhëtojnë jashtë vendit për të ndjekur ndeshjet ndërkombëtare të skuadrës – lexohet në postimin e Dmowskyt – do të bëjmë çdo përpjekje për të aplikuar norma të reja. Ajo çfarë ndodhi tregon se tifozët tanë nuk janë akoma gati për të shkuar në Evropën perëndimore”.

Vendimit te drejtuesve të Legias i shtohen masat disiplinore që UEFA ndërmori ndaj këtij klubi në 29 shtator për shkak të incidenteve me Borusia Dortmund. UEFA e ndëshkoi Legian me zhvillimin e 2 nga 3 ndeshjet e fundit me dyer të mbyllura dhe me 80 mijë Euro gjobë.

Top Channel