Babai përdhunues, gjykata tejkalon dënimin e kërkuar nga prokuroria

20/10/2016 00:00

Shpallet fajtor babai përdhunues i së bijës dhe dënohet me 10 vite burgim. Ky është vendimi i Gjykatës së Tiranës ndaj Fatos Gurakuqit, i cili ka dhunuar seksualisht të bijen minorene 15-vjeçare.

Në caktimin e kësaj mase dënimi, gjyqtari Gerd Hoxha ka kapërcyer edhe kërkesën e prokurorisë, e cila kishte kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit për akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë në gjini” dhe dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim.

Ndërsa gjyqtari Hoxha e ka dënuar me 10 vite, duke i shtuar 2 vjet e 6 muaj burgim kërkesës së prokurorisë. Kjo shtesë e dënimit nga ana e gjykatës argumentohet me rrezikshmërinë e lartë të veprës penale dhe faktit që i pandehuri gjatë gjithë gjykimit ka qëndruar në pozita mohuese, duke mos shfaqur asnjë shenjë pendese.

Për të vërtetuar plotësisht përdhunimin është dashur kryerja e testit të ADN-së, që konfirmoi abuzimin seksual me të bijën minorene. Ky është nga rastet e rralla kur gjykata kapërcen në caktimin e masës së dënimit kërkesën e prokurorisë.

Top Channel