Tahiri: Ashpërsim dënimeve për lëndët narkotike

20/10/2016 11:05

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një konferencë për mediat, njoftoi se do të propozojë “rëndimin e dënimeve për mbajtjen, trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike”.

“Do të propozoj që, sipas përgjegjësisë, konsumi dhe mbajtja e sasive për përdorim vetjak, të vijojë të jetë jo vepër penale; shitja mbi sasinë për përdorim vetjak do të dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg; kur flasim për sasi të mëdha, dënimi do të jetë nga 7 deri në 10 vjet. E njëjta gjë do të vlejë edhe për kultivimin e bimëve narkotike. Kultivimi në sasi të vogla të dënohet me 1 vit burg; kultivimi në sasi jo të vogla nga 1-3 vjet; ndërsa ai në sasi të mëdha, nga 5-10 vjet.
Besoj se kjo gjë do të sjellë rezultate parandaluese për të gjithë ata që konsumojnë këtë vepër penale”, u shpreh Tahiri.

Ministri nënvizoi gjithashtu se po synon që të godasë të gjithë ata që janë në linjën e financuesve dhe organizatorëve të kultivimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. Gjithashtu, Tahiri shtoi se policia po punon shumë edhe për ndalimin e trafikimit të lëndës narkotike të kultivuar.

“Nga njëra anë, është puna për ndalimin e kultivimit dhe nga ana tjetër, ajo e parandalimit të trafikimit. Po luftojmë çdo përpjekje për trafikimin e lëndëve narkotike, veçanërisht nëpërmjet detit. Ja pse të gjitha forcat e Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Kufirit do të jenë 24 orë në 24 në patrullimin e kufijve”, tha Tahiri.

Top Channel