Putin në Berlin, samit me Merkel e Hollande për Ukrainën dhe Sirinë

19/10/2016 00:00

Vladimir Putin ka mbërritur për herë të parë në Berlin që pas krizës së Ukrainës, për një samit me kancelaren Angela Merkel, presidentin francez Francois Hollande dhe atë ukrainas Petro Poroshenko.

Në tryezën e bisedimeve, në krah të 4 udhëheqësve janë edhe ministrat e tyre të Jashtëm dhe një grup ekspertësh. Hollande dhe Merkel do të mblidhen me Putin veçmas, pasi diskutimet mbi Ukrainën të përfundojnë e Poroshenko të marrë rrugën e kthimit.

Si Gjermania, ashtu dhe Rusia e kanë minimizuar perspektivën e ndonjë zhvillimi të bujshëm e të menjëhershëm përsa i takon procesit të ngecur të paqes në Ukrainë.

“Gjërat kanë mbetur në vendnumëro në shumë drejtime, siç është armëpushimi, çështjet politike dhe ato humanitare. Na duhet të mbërthejmë çdo mundësi që ekziston për progres. Nuk mund të presim një mrekulli, më duhet ta them këtë, por në këtë pikë ia vlen të bëhet çdo përpjekje”, deklaroi Merkel para takimit.

Ndonëse fokusi është Ukraina, një pjesë të vëmendjes së atij që njihet si “samiti i Normandisë” e ka rrëmbyer dhe situata në Siri. Përfshirja e Moskës në konfliktin sirian e ka ashpërsuar ngricën diplomatike të saj me Perëndimin.

Sidoqoftë, Rusia e bëri dhe një gjest të vogël pajtues me vendimin për ta zgjatur me 3 orë armëpushimin e planifikuar të enjten në Alepo, në mënyrë që civilëve dhe rebelëve t’u krijohet mundësia e largimit nga ky qytet.

Top Channel