Milot, në rrugë me bombola gazi

19/10/2016 00:00

Përmbytja e disa ditëve më parë në Milot dhe Laç shkatërroi çdo gjë që kishin disa familje që hynë nën ujë. Top Channel u rikthye sërish atje dhe situata është ende dëshpëruese.

E tillë është situata edhe në banesën e familjes Lleshi me 8 anëtarë, të cilët prej disa ditësh janë detyruar të jetojnë tek të afërmit e tyre, pasi banesa u përmbyt plotësisht gjatë reshjeve të javës së kaluar.

Ata kanë apeluar për ndihmë, por duke mos përfituar asgjë kanë nxjerrë në rrugë të gjitha plaçkat e shkatërruara të banesës së tyre. Madje, si shenjë kërcënimi ata kanë vendosur pranë tyre edhe dy bombula gazi, me anë të të cilave kanë kërcënuar se do t’i ndezin e madje do të vetëdigjeshin.

Zana Lleshi, nusja e shtëpisë, e cila ka tre fëmijë të vegjël shprehet se nuk kanë asnjë mundësi mbijetese, ndërsa konfirmon se vjehrra e saj Maria ka kërcënuar me ndezjen e bombulave.

Policia ka shkuar për të liruar rrugën e bllokuar nga bashkëshortët dhe madje i ka shoqëruar këta të fundit në komisarit për sqarime të mëtejshme. Në këtë seancë sqaruese, ishin edhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët kërkuan që të mos ndërmerren veprime të tilla të paligjshme, përpos problemit që ata kanë, pavarësisht se të dëmtuar nga përmbytjet janë edhe familje të tjera të Milotit.

Top Channel