Hapet parku “Nënë Tereza”, mbillen 5 mijë pemë në Qafë Shtamë

19/10/2016 00:00

Parku “Nënë Tereza” u krijua me 5 mijë pemë të reja në zonën e Qafë Shtamës, në Krujë. Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës, 500 nxënës të shkollave profesionale mbollën pemët në nder të shenjtores.

“Është një aksion i ndërmarrë për t’i shërbyer komunitetit. Arsimi profesional dhe ushtria do të vazhdojnë me kontributet e tyre aty ku njerëzit kanë më shumë nevojë. Do vazhdojmë në gjithë Shqipërinë”, tha ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Pjesë e këtij aksioni ishin edhe punonjës të ushtrisë, djem dhe vajza që gjithashtu kontribuan në shenjë solidariteti. “Nënë Tereza është një mesazh për ne dhe brezat e ardhshëm, për atë çka i dhuroi dhe i përçoi botës. Ne jemi pasardhësit e saj të denjë”, tha ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Në parkun më të ri me emrin “Nënë Tereza” ndodhet edhe një pllakatë, ku bashkangjitur emrit shkruhet: “Dhuratë nga shkollat profesionale, për të promovuar vullnetarizmin e të rinjve”.

Top Channel