Manchester-Fenerbahce, “djajtë” në kërkim të kryesimit

19/10/2016 00:00

Rezultatet e para në grupin A e kanë vënë në diskutim kualifikimin e Manchester United në fazën tjetër të Europa Ligës, por një fitore potenciale këtë të enjte kundër Fenerbahces, mund të projektojë “djajtë e kuq” në krye. Pikërisht këtë do të kërkojë trajneri Mourinho në “Old Trafford” ndaj skuadrës turke që ndodhet një pikë më shumë se vendasit në renditje.

I akuzuar se parkoi autobusin para portës këtë të hënë ndaj Liverpoolit, tekniku portugez i United, insiston se do të bëjë ndryshime, dhe se në skuadrën e tij nuk ka të paprekshëm, madje as yjet e ardhur këtë verë.

“As Pogba dhe as Ibrahimovic nuk janë futbollistë të paprekshëm në skuadrën time. 11 vjet më parë kam patur të tillë te Chelsea, por ishte Premier League e ndryshme dhe situatë krejt tjetër. Tani nuk ka asnjë të sigurt dhe e vetmja gjë e paprekshme është krenaria, përkushtimi për këtë klub”, tha trajneri Murinho.

Ibrahimovic i dhuroi Manchester United një start shpërthyes në ndeshjet e para, por ka vuajtur për të gjetur rrugën e rrjetës, ashtu siç ka dështuar për të impresionuar Pol Pogba. Në formacion pritet të rikthehet armeni Henrik Mkhitarian, për të cilin tekniku luzitan tha se është koha të tregojë se çfarë di të bëjë. United do të finalizojë të dielën një javë impenjuese me sfidën kundër Chelsea në Premier League.

Ndërkohë te Fenerbahce pritet ta nisë nga minuta e parë sulmuesi holandez Robin Van Persi. Tulipani i formacionit turk do të rikthehet në stadiumin “Old Trafford” këtë herë si kundërshtar dhe jo idhull i vendasve. Në udhëtimin drejt Manchester, Fenerbahce vuajti disa çaste paniku gjatë fluturimit pasi avioni i ekipit bëri ulje të detyruar ën Budapest. Shkak për këtë ishte thyerja e xhamave nga një tufë zogjsh që mund të kishte pasoja të rënda.

Top Channel