Ndahet nga jeta ish kapiteni i Partizanit, Safet Berisha

19/10/2016 00:00

Ish kapiteni i Partizanit, Safet Berisha është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare në Itali pas një sëmundje të rëndë.

Safet Berisha, një nga figurat emblematike të ekipit të Partizanit dhe kombëtares në vitet 70-80, bashkëkohës i Panajot Panos, ka luajtur si mbrojtës në një nga periudhat më të lavdishme të skuadrës së kuqe. Gjithashtu, ai ka regjistruar edhe 21 prezenca me Kombëtaren Kuqezi.

I lindur në Durrës në 11 nëntor të 1949, qendërmbrojtësi i hodhi hapat e parë në futboll te Lokomotiva, për tu transferuar në vitin 1968 te Partizani ku gjatë një karriere 15 vjeçare, fitoi 3 tituj kampionë, 4 Kupa Republike, si dhe është fitues i Kupës Ballkanike në vitin 1970. Për meritat e tij në sport Safet Berisha është nderuar me titullin “Mjeshtër i Merituar  i Sportit” si dhe në 70 vjetorin e Themelimit të Partizanit u dekorua me “Medaljen e Meritës”.

Klubi i kuq njoftoi me dhimbje ndarjen nga jeta të 66 vjeçarit, që edhe pse jetonte që nga viti 1992 në Itali, mbeti gjithmonë i lidhur me Partizanin, ndërsa u shfaq për herë të fundit në publik në marsin e viti të kaluar, teksa i dorëzoi një cmim individual kapitenin aktual të të kuqve, Alban Hoxha.

Top Channel