NATO, Asambleja parlamentare organizon seminar në Prishtinë

19/10/2016 00:00

Duke nisur prej të shtunës, samiti i Asamblesë parlamentare të NATO-s, me pjesëmarrjen e ligjvënësve nga vendet anëtare dhe ato partnere, do të mbahet në Prishtinë. Samiti do të hapet nga një fjalim i kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe kreu i zyrës së BE-së në Kosocë, ambasadorja Natalya Apostolova.

Gjatë takimit treditor do të diskutohet mbi perspektivën e Kosovës në lidhje me Bashkimin Europian dhe rolin në zhvillim të NATO-s në rajon, pas samitit të krerëve të shtetit dhe qeverive të vendeve aleate të mbajtur në korrik në Varshavë. Gjithashtu do të shqyrtohet edhe progresi i dialogut Beograd-Prishtinë, duke dëgjuar edhe adresimet e shefave negociatorë të të dy vendeve, Edita Tahiri dhe Marko Djuriç.

Ligjvënësit e aleancës atlantiko-veriore do të ekzaminojnë gjithashtu zhvillimet politike, social-ekonomike dhe ato të sigurisë në Kosovë, perspektivën për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal, sikurse edhe përgjigjen e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave të krijuara prej terrorizmit ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të emigrantëve përmes Europës.

Seminari organizohet në bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës, nën udhëheqjen e kreut të delegacionit parlamentar kosovar në Asamblenë e NATO-s, Xhavit Haliti, si dhe me mbështetjen e çmuar të qeverisë zvicerane.

Asambleja parlamentare e NATO-s ka zhvilluar 19 seminare të quajtura “Rose Roth” në vendet e Ballkanit Perëndimor, që prej nisjes së këtij programi në vitin 1991. E para është zhvilluar në Ohër në vitin 1997, ndërsa në Prishtinë do të organizohet seminari i 93-të, por i pari për Kosovën.

Në këtë ngjarje do të mblidhen mbi 100 pjesëmarrës, përfshi rreth 70 deputetë parlamentesh nga 21 vendet anëtare dhe ato partnere. Në seminar do të flasin edhe krerët më të lartë të Kosovës, duke nisur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, kreu i EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, si dhe një sërë ekspertësh të nivelit lokale dhe ndërkombëtar.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel