“Shkrihen” zyrat përmbarimore, Manjani shfuqizon urdhrin e Nishanit

19/10/2016 00:00

“Zhvlerësoj të gjitha vulat e dhëna deri më sot për shoqëritë përmbarimore”. Ky vendim i ministrit të Drejtësisë do të thotë se brenda tetorit  shoqëritë e përmbaruesve gjyqësore private duhet të dorëzojnë vulat me të cilat kanë finalizuar në frymë kolektive veprimet përmbarimore.

Nga ky urdhër i Manjanit që shfuqizon  urdhrin e ish-ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani datë 20 shtator 2010, preken 51 shoqëri përmbarimore.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Tedi Malaveci shpjegon për Top Channel se urdhri i Manjanit nuk prek veprimtarinë e përmbaruesve, por përkundrazi e fuqizon dhe po ashtu e vendos para përgjegjësisë atë duke i dhënë mundësi qytetarit të mos zvarritet gjatë kërkimit të të drejtave.

“Padyshim që shoqëritë përmbarimore nuk mund të shkrihen pasi krijimi i këtyre shoqërive, për aq sa ka kuptim dhe lidhje për ligjin për shoqëritë tregtare, nuk mundet të anashkalohet apo të shfuqizohet me një aktnënligjor. Me këtë urdhër nënkuptohet dhe orjentohet përfundimisht përgjegjësi individuale e përmbaruesve gjyqësorë. Kjo do të thotë që nëse kreditori apo debitori bashkë me palët e treta, pësojnë një dëm nga veprimtaria e një përmbaruesi gjyqësor gjatë ekzekutimit të një titulli, faturën e këtij dëmi duhet të paguajë personalisht përmbaruesi gjyqësor dhe jo shoqëria përmbarimore ku ai bën pjesë”, shpjegoi Tedi Malaveci, kreu i Dhomës Kombëtare të Përmbarimit.

Aktualisht janë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë 167 përmbarues privatë.

Top Channel