Shpëtimi i Arkivit të Filmit

19/10/2016 00:00

Përgjatë dy javëve të dyta të tetorit, projekti i Kinemasë shqiptare do të zhvillojë punëtori rajonale trajnimi në Ballkanin Perëndimor për profesionistët e arkivave audiovizive. Këto arkivistë punojnë për të ruajtur një trashëgimi të rrezikuar audiovizive, e që ka pasur shumë pak mundësi të shihet përtej kufijve të rajonit.

Sesioni për prezervimin e koleksioneve audiovizive është duke u mbajtur në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

“Teknologjia jonë është një skaner 4K, por ne mund të skanojmë edhe në format video 5K. Ne skanojmë çdo ditë nga origjinali filmat që po vjetërohen. Kur Shqipëria na jep neve Nënë Terezën, të cilën e kemi adhuruar, unë i dedikoj pak nga koha ime Shqipërisë, për të ndihmuar kinemanë shqiptare. Unë mendoj që ka punë shumë të mira që meritojnë të restaurohen. Siç po bëjmë me filmin ‘Ballë për ballë’”, tha Koushik Prasanta, ekspert i arkivave audiovizive.

Çdo pjesëmarrës është ftuar të sjellë me vete një bobinë filmi nga arkivat e tyre, e cila do të dixhitalizohet përgjatë punëtorive.

“Unë nuk mendoj që filmi dhe njerëzit janë të ndryshëm. Siç njeriu lind e vdes, edhe filmi ka një cikël. E mira e filmit është që ai mund të ruhet. Është rezultat i krijimit njerëzor. Ka shumë edukim dhe kulturë në të, që mund t’iu trasmetojmë brezave të ardhshëm”, tha më tej Koushik Prasanta.

Projekti i Kinemasë shqiptare për punëtoritë “Arkivat në lëvizje” është një bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit, Arkivin e Medias në San Francisco, Bibliotekën e Kongresit amerikan dhe Ministrinë shqiptare të Kulturës.

Top Channel