Kostumi i Nënë Terezës

19/10/2016 00:00

Kostumi i parë që ka mbajtur veshur Nënë Tereza, një relike e familjes së saj, i është prezantuar për herë të parë publikut shqiptar.

Shumë vite më parë, për arsye ekonomike, familja e Nënë Terezës vendosi t’ia shiste Institutit të Albanologjisë këtë veshje me motive nga Novosella.

Etnologia Afërdita Onuzi bëri identifikimin e veshjes pas vitit 2000, kur u botua edhe libri i Dom Lush Gjergjit, nga i cili mori ngacmimin e parë për të kërkuar prejardhjen e kësaj veshjeje.

Pas konsultimeve me një foto, ku shfaqet motra dhe vet Nënë Tereza, e cila mban veshur këtë kostum dhe kërkimeve në Novosellë e Prizren, Afërdita Onuzi mbërriti në konkluzionin se kjo është veshja e parë e Nënë Terezës.

“Familja e Nënë Terezës që dihet se çfarë miqësie ka pasur me familjen e Marije Krajës, i kërkoi të shoqit të Marijes që t’i shesë këtë kostum, që neve sot kemi rastin ta shohim, në arkivin e familjes sonë por në kushte anonimati. Duke parë fotografinë, pas botimit të Dom Lush Gjergjit, ‘Nëna e dashurisë’, dhe me hulumtime që kam bërë në Prizren, kam arritur të identifikoj cilat ishin pjesët e kostumit të shitur”, tha Prof. Dr. Afërdita Onuzi, etnologe nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Ekspozita me veshje dhe objekte të gjysmës së dytë të shekullit XIX, kohë në të cilën jetuan prindërit e Gonxhe Bojaxhiut, sjell për publikun mjedisin në të cilin u rrit, edukua dhe shkollua Nënë Tereza.

Kjo ekspozitë vjen në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, një aktivitet i mundësuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Top Channel