Kthehen pensionet për ish-ushtarakët. 5.500 persona do rimarrin 369 mln lekë

19/10/2016 00:00

Të gjithë ish-ushtarakët, policët dhe ish-punonjësit e zjarrfikëses, të cilëve gjatë periudhës Korrik 2009-Maj 2016 u janë mbajtur një pjesë e pensioneve si pasojë e rillogaritjes së tyre, do të marrin paratë mbrapsht.

Qeveria ka zbardhur vendimin, i cili detyron Institutin e Sigurimeve Shoqërore të kthejë 369 milionë lekë, ose rreth 3 milionë dollarë, për afro 5.500 pensionistë ish-ushtarakë dhe policë.

Sipas vendimit, paratë do të paguhen brenda 7 muajsh, nga nëntori i këtij vitit deri në maj të vitit të ardhshëm. Ish-ushtarakët dhe punonjësit e Forcave të Rendit do t’i marrin ato bashkë me pagesat e pensionit mujor.

Për shumicën dërrmuese të përfituesve, të gjtha procedurat do të kryhen nga Instituti i Sigurimeve dhe paratë do të shpërndahen automatikisht me pensionin mujor. Por një pjesë e vogël e përfituesve, nga ky vendim, për të cilët ministritë nuk kanë dërguar formularët, do të duhet të paraqesin vetë pranë ISSH-së vërtetimin e pagës mesatare neto dhe vjetërsisë në punë.

Konflikti financiar me pensionet e ish-ushtarakëve lindi në vitin 2009, kur u ndryshua ligji që çoi në rillogaritjen e këtyre pensioneve. Ndryshimi i ligjit bëri që shumë prej pensionistëve ish-ushtarakë, apo punonjës të Ministrisë së Brendshme, të rezultonin debitorë në shtet.

Si rezultat, nga korriku i vitit 2009 e deri më sot, ISSH u ka mbajtur atyre 20 për qind të pensionit mujor deri në shlyerjen e plotë të debisë. Këto parà, me vendimin e qeverisë do të kthehen mbrapsht dhe e gjithë debia e pensionistëve falet.

Top Channel