Nishani kthen në Kuvend ligjin për dhomat tregtare

19/10/2016 00:00

Presidenti Nishani ktheu për rishqyrtim në Parlament ligjin “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, si antikushtetues. Ky ligj synon të shkrijë dhomat e tregtisë dhe industrisë në një të vetme dhe i detyron bizneset të anëtarësohen kundrejt një kuote, sipas llojit të biznesit.

Në rast të kundërt, këtyre bizneseve u mohohet marrja e shërbimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Në dekretin e kthimit, presidenti Nishani argumenton se detyrimi për t’u anëtarësuar në Dhomën e Tregtisë shkel nenin 46 të Kushtetutës, që përcakton se pjesëmarrja në organizata kolektive duhet të jetë e vullnetshme dhe jo e detyrueshme.

Po ashtu, anëtarësimi me anë të pagesës së kuotës krijon premisat e një takse të fshehtë për biznesin. Në dekret thuhet se, përcaktimi i këtyre kuotave nuk është i qartë, e po ashtu edhe mënyra sesi do të administrohen të ardhurat nga dhoma.

Ligji është kundërshtuar nga përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, veçanërisht Dhomës amerikane të Tregtisë, sipas së cilës mbikëqyrja nga qeveria do të sjellë dobësimin e kundërshtimit të biznesit mbi nismat legjislative të saj.

Top Channel